Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit të mbrëmshëm në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka deklaruar se me liderët kosovarë janë marrë vesh për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.
Pas takimit në një njoftim në Twitter , Lajçak ka thënë se “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, tha Lajçaku.
Evropiani Lajçak ka arritur mbrëmë në Kosovë, në përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizim. Brenda një javë ai vjen dy herë në Kosovë.