Policët serbë hedhin uniformat, Lista serbe largohet nga institucionet e Kosovës

Lista Serbe ka vendosur sot (05.11.2022) që pjesëtarët e saj të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës. Pas takimit të mbajtur në Zveçan, u kumtua se përfaqësuesit e serbëve do të largohen nga insitucionet e Kosovës „deri në momentin kur Prishtina do të tërheqë vendimet për riregjistrim të makinave dhe të formojë Asociacionin e Komunave Serbe.“ Ky vendim u mor pas takimit të mbrëmshëm në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq deklaroi sot se ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim. „Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri“, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. 

Cani Travel

Përfaqësuesit e serbëve e morën këtë vendim si shenjë revolte ndaj vendimit të kryeministrit Kurti për targat dhe vendimin për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.