Mbi 1 mijë persona hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës për trë muaj

Gjitnjë e më shumë qytetarë të Kosovës po heqin dorë nga shtetësia e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës bëri të ditur se për periudhën janar-mars të këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës 1 mijë e 8 persona.

“Gjatë periudhës Janar-Mars 2023, në Divizionin e Shtetësisë janë marr 1,019 vendime për lirim nga shtetësia: 1,008 v. pozitive, 11 v. negative dhe 893 kërkesa”, thuhet në raportin e Ministrisë. Sipas të dhënave, numri më i madh i qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia janë nga Gjermania, Austria, Sllovenia, Kroacia dhe të tjera.

Cani Travel

Në prill të këtij viti, në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u mundëson qytetarëve lëvizje të lirë në zonën “Schengen” nga 1 janari i vitit 2024. Aleanca Kosovare e Biznesit ka vlerësuar se vetëm vitin e parë nga liberalizimi i vizave, ekziston rreziku që nga Kosova të largohen 150 mijë qytetarë.

“Sipas parashikimeve që kemi bërë një vit më herët, ku paralajmërimet kanë qenë që nga viti 2010, 2011, 2016 që do të bëhet liberalizimi, kemi bërë një hulumtim dhe sipas atij, ne vetëm vitin e parë mund të mbetemi me 150 mijë qytetarë më pak. Një vlerë e madhe, e cila pritet të lëvizë drejt Europës, për të gjetur mundësi për t’u punësuar”, njofton Aleanca Kosovare e Biznesit.

Trendi i emigrimit, sipas shifrave zyrtare të institucioneve të Kosovës, është në rritje. Vetëm vitin e kaluar nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, arsyet kryesore të emigrimit të rregullt janë bashkimi familjar, martesa, gjetja e një vendi pune apo edhe studime. Në vitin 2020, nga Kosova emigruan mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; dhe më 2018 mbi 28.000.