Mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë, që nga fundi i shtatorit e deri më tash. Ata nuk kanë arritur të marrin ende dokumentin e tyre, për shkak të mungesës së materialit. Siç u njoftua ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme është pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale – pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shofer. Mirëpo, sipat të gjitha gjasave, qytetarët duhet të presin edhe një kohë për t’u pajisur me dokumente personale.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, prodhimi i pasaportave për të gjithë ata që kanë aplikuar mund të marrë kohë deri ne muajin mars.“Që në javën tjetër do të fillojmë me prodhimin e dokumenteve që janë në pritje, do fillojmë nga muaji shtator për prodhimin e dokumenteve, tërë muajin shkurt na duhet të prodhojmë dokumente për qytetarët që janë duke pritur, na duhet një kohë deri në muajin mars që të bimë situatën normale”, ka thënë ai. Camaj ka deklaruar gjithashtu se tashmë janë furnizuar mjaftueshëm me material dhe se nuk beson qe do të përballen me situata të ngjashme si në muajt e kaluar.