Me 16 nëntor vazhdon dialogu, po cilat janë temat?

Autoritetet e Kosovës dhe Serbisë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin në Bruksel në kuadër të dialogut. Takimi i radhës do të mbahet me 16 nëntor.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian konfirmojnë se takimi i radhës do të mbahet me 16 nëntor, në nivel të drejtuesve të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Thuhet se do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, çështjet e hapura dhe rrugën përpara në dialog.

Cani Travel

Dialogu ka pasur kohët e fundit ngecje serioze, pasi që Kosova dhe Serbia kanë qëndrime diametralisht të kundërta për të ardhmen. Ndonjë takim në nivelin më të lartë për momentin nuk pritet.

“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë. Data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel liderësh varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së kryeministrit të Kosovës për mediat në Kosovë.

Ndërsa „Zyra për Kosovën e Metohinë“, e Qeverisë së Serbisë ka bërë të ditur për mediat serbe se drejtori i Zyrës, Petar Petkoviq, i cili drjeton ekipin negociator të Serbisë në dialog, do të marrë pjesë në takimin e radhës me 16 nëntor në Bruksel. Sipas tyre, tema kryesore do të jetë të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por autoritetet e Kosovës e kanë hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve në këtë takim për Asociacionin.