Pelegrinazhi i këtij viti në Mekë filloi mbrëmjen e kësaj të hëne (26 qershor). Për herë të parë që nga pandemia e koronës, pelegrinazhi që në gjuhën arabe quhet Haxh, po mbahet sërish pa kufizime dhe pa kushte të veçanta për shkak të virusit korona.
Sipas Ministrisë Saudite, rreth 2.6 milionë myslimanë priten në vendlindjen e Profetit Muhamed (i cili ka jetuar në vitet 570-632), qyteti më i shenjtë i fesë islame. Deri të shtunën (1 korrik), atje do të kryhen ritualet e përcaktuara në faltoren e Qabes dhe në vende të ndryshme pranë Mekës.
Numri i lartë i vizitorëve pasqyron edhe hapjen ekonomike dhe hapjen e kujdesshme politike të Mbretërisë së Arabisë Saudite. Këtë vit për herë të parë edhe femrat lejohen të kryejnë Haxhin pa pasur me vete ndonjë kujdestar mashkull.
Vitet e fundit, numri i pjesëmarrësve kishte rënë në mënyrë drastike
Para pandemisë korona, rreth 2.5 milionë myslimanë nga e gjithë bota morën pjesë në Haxh në vitin 2019. Në dy vitet që pasuan, Arabia Saudite uli në mënyrë drastike numrin e pjesëmarrësve, për shkak të virusit korona. Vetëm 10.000 besimtarë u pranuan në Haxh më 2020; Në vitin 2021 ishin 60.000. Përveç kësaj, zbatoheshin kushte të rrepta dhe pranoheshin vetëm besimtarët që jetojnë në Arabinë Saudite dhe ishin të moshës 18 deri në 65 vjeç.
Në vitin 2022, afro 900.000 pelegrinë u lejuan të udhëtonin në Mekë dhe të vizitojnë varrin e Profetit Muhamed në Medinë, duke përfshirë rreth 780.000 muslimanë nga jashtë. Por vetëm nëse ata ishin nën 65 vjeç, nëse ishin të vaksinuar dhe mund të tregonin një test negativ ndaj virusit korona.
„Haxhi më i madh në histori“
Ceremonitë e Haxhit në Arabinë Saudite kanë filluar të dielën në mëngjes me rrethimin e kubit në Qabe, kubi me vello të zezë në Mekë, drejt të cilit kthehen çdo ditë me miliona njerëz për t’u lutur.
“Këtë vit jemi dëshmitarë të pelegrinazhit më të madh në histori”, tha të dielën një zyrtar i ministrisë së Haxhit. “Numri do të kalojë 2.5 milionë pelegrinë. Në mbrëmjen e së premtes vonë, kishin mbërritur 1.6 milionë nga shumë vende të botës.
Festa e Sakrificës fillon të mërkurën
Festa islame e sakrificës fillon të mërkurën, ditën e tretë të Haxhit. Ajo është festa më e madhe e fesë islame dhe zgjat katër ditë. Shumë muslimanë në mbarë botën therin Kurbanin, një ritual që të kujton sakrificën e Ibrahimit (Abrahamit) të përmendur në Kuran dhe Bibël, i cili ishte gati të sakrifikonte djalin e tij me urdhër të Zotit.
Pelegrinazhi në Mekë është një nga „pesë shtyllat e fesë islame“ dhe konsiderohet si një detyrim qendror i kësaj feje. Sipas mësimeve islame, çdo besimtar i rritur duhet ta bëjë këtë pelegrinazh të paktën një herë në jetën e tij, nëse këtë e lejojnë shëndeti dhe kushtet.