Në vendkalimin kufitar Merdare, shërbimet e sigurisë serbe kanë arrestuar dy shqiptarë nga Prishtina, të moshës 22 dhe 30 vjeçare, të cilët kanë tentuar të sjellin një sasi të madhe armësh në Serbinë qendrore, shkruajnë mediat e Serbisë. Në makinën e tyre me targa të Kosovës RKS, autoritet doganore kanë zbuluar dhe kanë parandaluar kontrabandën e një arsenali armësh.
“Ndonëse personat e dyshuar deklaruan se nuk kishin asgjë për të deklaruar përveç sendeve personale, doganierët vendosën të bëjnë një kontroll të detajuar. Më pas u zbulua një arsenal i vërtetë armësh nën karriget dhe nën kapakët e rrotave: 45 armë zjarri, 31 silenciatorë për armë zjarri dhe 367 fishekë”, u tha në njoftim e Doganës së Serbisë.
Autoritetet serbe thanë se doganierët kanë dorëzuar te policia dy personat që gjendeshin në këtë automjet “dhe kanë njoftuar prokurorin kompetent për veprime të mëtutjeshme”.
„Dyshohet se dy shqiptarë nga Kosova, me udhëzimet dhe ndihmën e një shteti perëndimor, zyrtari i të cilit kohët e fundit ka qëndruar në Kosovë dhe që mbështet me gjithë zemër pavarësinë e Kosovës, kanë dashur të kontrabandojnë armë për një grup kriminal në Serbi“, shkruajnë mediat serbe. Më tutje thuhet se „qëllimi i tyre ishte të shkaktonin incidente, të kërcënonin sigurinë e qytetarëve dhe të destabilizonin Serbinë.“