Ministria e Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë mërgimtarëve që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë. Pas kidnapimit të djeshëm të 3 pjesëtarëve të policisë së Kosovës, Ministria fton qytetarët të përcjellin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.
„Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje njoftohen të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.