Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi të dielën (08. 01. 2023) në Beograd, se KFOR-i e ka refuzuar kërkesën e Serbisë për kthimin e rreth një mijë trupave të forcave serbe në Kosovë. Vuëiq i bëri këto komente në një intervistë për televizionin proqeveritar “TV Pink”, në Beograd dy ditë pasi KFOR-i u dorëzoi autoriteteve serbe përgjigjen negative lidhur me kërkesën e Serbisë të dërgur nga mesi i dhjetorit.
KFOR-i e ka konfirmuar se përgjigja është dorëzuar, por ata thonë se “nuk hyjmë në hollësitë e korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet syçelë dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të dhënë nga OKB-ja”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Presidenti Vuçiq tha se ‘në letrën e tyre (KFOR-it) të hartuar me kujdes drejtuar qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë që nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244 (të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara)”.
Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.