Ka ndërruar jetë në moshën 118-vjeçare personi më i vjetër në botë, murgesha franceze André. E lindur në vitin 1904, ajo përjetoi tre republika franceze, dhjetë papë dhe pushtimin gjerman në Luftën e Dytë Botërore.
Motra André vdiq natën nga e hëna në të martë në shtëpinë e të moshuarve, raportoi agjencia franceze e lajmeve AFP, duke cituar zëdhënësin e gruas së lindur si Lucile Randon. Që nga fundi i prillit të vitit të kaluar, Grupi i Kërkimeve Gerontologjike e ka renditur motrën André si personin më të vjetër të gjallë, më parë si evropianen më të vjetër.
Në Rusi qeveriste ende një car, në Gjermani një perandor ndërsa gara Tour de France u zhvillua për herë të parë: kur Lucile Randon u lind më 11 shkurt 1904, bota ishte krejt ndryshe. Ajo përjetoi dy luftra botërore, gripin spanjoll dhe pandeminë corona – më 2021 ajo u vetëinfektua në strehimoren e saj të të moshuarve me virusin corona dhe konsiderohej atëherë si personi më i moshuar në botë, që i mbijetoi COVID19.
E lindur në një familje protestante në qytetin jugor të Francës Ales, Lucile Randon u konvertua kur ishte 26 vjeç në katolike. 15 vjet më vonë ajo hyri në një urdhër murgeshash duke punuar në një spital në Vichy me emrin motra André.
Edhe në moshë shumë të thyer ajo kujdesej për të tjerët – agjencia e lajmeve AFP citon nga një intervistë me të: „Shumë thonë, që puna të raskapit – mua puna më ka mbajtur në jetë. Unë kam punuar deri kur mbusha 108 vjeç“, ka thënë motra André. Ndonëse ajo ishte e verbër kohët e fundit dhe në karrocën e invalidit, vazhdonte të kujdesej për të moshuar të tjerë shumë më të rinj se ajo vet.
Kërkesat për një prove të ADN-së për analizë gjenetike ajo i refuzonte duke argumentuar: „Vetëm i madhi Zot“ e di sekretin e jetës së saj të gjatë. Tani Randon mbylli sytë në moshën 118 vjeçare si njeriu më i moshuar në botë.