Ndezja e qirinjve në Kosovë pas masakrave në Serbi – reagimet shumë të ndryshme!

Në Prishtinë janë ndezur qirinj për t’u solidarizuar me familjet e fëmijëve të vrarë në një shkollë në Beograd nga një bashkëmoshatar i tyre. Kanë reaguar edhe krerët e Kosovës, të cilët kanë shprehur keqardhje. Ndërsa të tjerët kujtojnë se krerët e Serbisë kurr nuk kanë kërkuar falje për fëmijët dhe bebet e vrara në Kosovë nga trupat serbe.

Brenda dy ditësh Serbia është tronditur nga dy masakra ku humbën jetën të paktën 17 fëmijë e të rritur. Serbia është vendi me numrin më të madh të armëve në duart e civilëve në Evropë. Vuçiqi me retorikën e tij shpesh të pakuptueshme tha se do të nisin aksionin e çarmamtimeve dhe do të shtojnë denimet për ata që kanë armë, ndërkohë që vet ai është pjesë e makinerisë serbe shtetërore që ka armatosur me të madhe civilët në vitet 90-të. Ai tha madje se angazhohet për kthimin e denimit me vdekje, por ja që Ana Brnabiq nuk po e lejoka. Një deklaratë vërtet qesharake, kur dihet se Brnabiq nuk ka fije pushteti krahasuar me Vuçiqin. Por kjo është çështje e brendshme e Serbisë…

Cani Travel

Por ajo që ka zgjuar shumë më shumë vëmendje në opionionin kosovar dhe në mesin e mërgimtarëve është solidarizimi i shqiptarëve në sheshin e Prishtinës me viktimat dhe familjarët e tyre – me ndezjen e qirinjve për fëmijët e vrarë në një shkollë të Beogradit. Qirinj ka ndezuar ndër tjerësh edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që shkaktoi reagime të shumta. Mijëra njerëz në rrjetet sociale rikujtuan se Serbia kurrë nuk kërkoi falje dhe nuk e ndezi asnjë qiri për 1.432 fëmijët e vrarë shqiptarë nga forcat serbe.

Ngushëllime për fëmijët e vrarë kanë shprehur edhe Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Shikuar nga reagimet në rrjete, kosovarët u ndanë në dy grupe të mëdha. Në njërën anë ata që tregonin empati dhe keqardhje për viktimat. Dhe në anën tjetër ata që sulmojnë ashpër krerët e institucioneve për reagimet e tyre.

Presidentja Osmani u ka shprehur ngushëllime të thella prindërve të tetë fëmijëve të vrarë në shkollë.  “S’ka asgjë më të vlefshme se jeta e një fëmije dhe asgjë më të dhimbshme se humbja e asaj jete. I shpreh ngushëllimet më të thella të gjithë prindërve që humbën fëmijët e tyre nga sulmi i tmerrshëm në shkollën në Beograd dhe lutemi për rikuperim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ngushëllimet e ngjashme i ka shprehur edhe Kryeministri Kurti: “Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat e të shtënave të shkollën në Beograd dhe familjeve të tyre. Po ashtu, shpresoj për shërim të shpejtë për ata që u lënduan nga kjo ngjarje tragjike”.

Vetëm dy ditë pas vrasjes në një shkollë në Beograd, në Mlladenovac është kryer edhe një vrasje tjetër masive nga një 21-vjeçar i cili vrau po ashtu 8 persona. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për të dyja rastet. Disa e kanë mbështetur, por shumica e lexuesve e kanë kritikuar…