Më 12.05.2023 në Këln të Gjermanisë do të shfaqet performanca interesante me titull „Gjurmë“ në regji të Kreshnike Osmanit, e në atë do të performojnë Njomza Tmava dhe Arbër Krasniqi. Ky është manifestimi i parë në kuadër të projektit „KULTURA PA KUFINJ“ të shoqatës kulturore URACult nga Këlni. Mbështetës i projektit është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
„Gjurmë“ është një performancë, e cila përmes poezisë dhe këngës na dërgon në historitë e vjetra të popullit tonë, i cili ka përjetuar dëbimin nga shtëpitë dhe ndarjen nga njerëzit më të dashur. Me këngë dhe poezi, në këtë shfaqje do të rikujtohen sakrificat e shqiptarëve, vuajtjet dhe gjurmët që kanë lënë ata.