Infermierja Aurona Pelaj e cila dyshohet për sulm fizik ndaj 70-vjeçares, Minire Nura në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë, mund të ketë ikur në Gjermani. Kështu deklaroi avokati i familjes së të moshuarës, Meshari Selimaj. Në një intervistë për Euronews Albania, Selimaj theksoi se prokuroria ende nuk ka ngritur një aktakuzë kundër A.Pelaj.
“Me informacionet që kam Aurona Pelaj, mund të gjendet në Gjermani. Kështu po përflitet këto ditët e fundit. Prokuroria ende nuk i ka kryer hetimet. Prokuroria ende nuk e ka ngritur aktin-akuzues në gjykatë dhe gjykata ende nuk e ka mundësinë që ta ftojë Pelajn. Duhet të paraqitet me thirrjet, dhe nëse nuk paraqitet merren masat për lëshimin e urdhër arrestit”, ka thënë avokati Selimaj.
Në Kosovë ka pasur reagime dhe protesta të shumta ndaj këtij rasti, kurse shtëpisë së të moshuarve, ku ka ndodhur sulmi i ishte hequr licenca. Në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur t’ua ndërpresë paraburgimin tri infermiereve të arrestuara në lidhje me sulmin fizik ndaj të moshuares në Pejë.