Në komunën Castenaso, në provincën e Bolonjës në Itali, u hap ditë më parë Shkolla Shqipe. Kjo ngjarje u vlerësua si një arritje e madhe për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore përmes gjuhës.
Iniciator i këtij projekti të rëndësishëm është komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë, me mbështetje të shoqatave si “Korabi”, drejtuar nga Astrit Poti, sipërmarrësve dhe aktorëve të shumtë, si dhe njerëzve të tjerë që përkrahën këtë nismë.
Në inaugurimin e Shkollës Shqipe morën pjesë promotorët kryesorë: nga Roma Lorik Cana, kampion futbollist i njohur i kombëtares, Mehmet Prishtina, pasardhës i Hasan Prishtinës, nga Venecia Muharem-Marco Salihu, sipërmarrës i njohur, drejtues i AFEDS dhe mbështetës i nismave në favor të vlerave kulturore e sociale të kombit shqiptar, si dhe personalitete të shquara nga Shqipëria dhe Kosova, dashamirës të arsimit dhe të ftuar vendas ndër të tjerë edhe arbëreshë.
Shkolla fillimisht do ketë si seli ambientet e qendrës sociale “Casa Sant’Anna”, dhënë në përdorim nga Komuna e Castenasos.