Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullatës në vitin 2022, të publikuara nga Instituti Republikan i Statistikave në Serbi, tregojnë se në këtë vend jetojnë 61.687 shqiptarë. Sipas këtyre rezultateve, shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare – menjëherë pas hungarezëve, boshnjakëve dhe romëve.
„Regjistrimi i popullsisë dëshmoi se pakica kombëtare shqiptare në Serbi është diskriminuar në 12 vjetët e fundit“, konsideron Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi. Ai tha se numri i pjesëtarëve të pakicave kombëtare përcakton dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre.
“Në rastin e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi, kjo nënkupton pjesëmarrjen e duhur të shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përkatësisht përfaqësimin e tyre proporcional në polici, gjyqësor, arsim, shëndetësi, doganë, ndërmarrje publike… gjë që nuk po ndodh tani”, thotë Mustafi.
Për dallim nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011, që tregonin se në Serbi jetojnë gjithsej 5.809 shqiptarë, të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se popullsia e këtij komuniteti përbëhet prej 61.687 banorësh. Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e vitit 2011, prandaj edhe nuk dihej numri real i tyre. Vendimi për bojkotim ishte marrë pasi formularët për regjistrim ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.