Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” ka botuar një artikull, ku bëhet fjalë për lidhjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me njerëzit e krimit në Serbi. Teksti i gazetës amerikane fillon me përshkrimin e konferencës për media që në vitin 2021 kishte mbajtur Vuçiq, e ku kishte shpalosur arrestimin e një bande të krimit në Serbi, e në fakt, doli që kjo bandë kishte lidhje me presidentin Vuçiq dhe djalin e tij, Danilo Vuciq, dhe ishte organizuar pikërisht për nevojat dhe me urdhër të presidentit serb. Në këtë konferencë për gazetarë, Vuçiq shfaqi disa imazhe të tmerrshme të krimeve të kësaj bande, ku janë parë: një kokë e prerë, një trup pa kokë, një bust.
Kreu i kësaj bande ishte një trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, tashmë një figurë e njohur në Beograd. Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por kurrë nuk kaloi shumë kohë në burg. Pas arrestimit të kreut të bandës, Belivuk përshkroi disa nga punët që banda pretendonte se kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë dhe ndalimi i tifozëve që të këndonin kundër Vuçiqit në ndeshjet e futbollit. Belivuk paralajmëroi se nëse Vuçiq “vazhdon procedurat e tij kundër meje”, ai do të kishte shumë më tepër për të thënë, thuhet më tutje në tekstin e gazetës amerikane.
Vuçiç kundërshtoi me zemërim çdo lidhje me vrasësit. Por ai dukej se e merrte personalisht çështjen Belivuk, duke pretenduar se ishte një komplot kundër tij.Sipas gazetës NYT, rasti Belivuk ka hapur një dritare drejt një të ardhmeje të zymtë të mundshme, në të cilën Vuçiq minon projektin evropian nga brenda, duke ndërtuar një shtet ku demokracia është një fasadë dhe bandat kriminale përdoren për të përhapur frikën.