Patentë shoferët e Kosovës njihen së shpejti edhe në Austri

Patentë shoferët e qytetarëve kosovarë do të njihen së shpejti edhe në Austri. Siç bëhet e ditur, vendimi për këtë është marrë tashmë në Këshillin e Ministrave të Austrisë, por tani duhet të kalojë në Parlament.

Lajmin për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës e ka konfirmuar edhe ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana. Ai ka thënë se vendimi i Këshillit të Ministrave të Austrisë është marrë më 14 qershor 2023, por çeshtja e zyrtarizimit duhet të kalojë edhe në instanca tjera, si: në Parlamentin austriak dhe Ministrinë e Mbrojtjes. “Zyrtarisht patentë shoferët e Kosovës pritet të njihen nga data 1 shtator. Megiithatë, ne jemi në kontakt të rregullt me zyrtarët austriak për të gjetur një zgjidhje, që ata persona të cilët hynë në Austri me patentat e shoferëve të Kosovës deri në shtator, mos të gjobiten“, tha ambasadori Pllana.

Cani Travel

Ambasadori ka sqaruar se patentë shoferët do t‘iu njihen qytetarëve të Kosovës të cilët janë për vizitë në Austri, atyre që kalojnë tranzitë në Austri, atyre që kanë qendrim të përkohshëm në Austri, pra që punojnë me një afat të shkurtër (punëtorë sezonal). Mirëpo, për ata që kanë leje qendrimi më afat më të gjatë, vazhdon të mbetet në fuqi e njejta procedurë si ka qenë më parë, procedura e konvertimit nga patenta e Kosovës në atë të Austrisë.