Prej sot për hyrje në Kosovë kërkohen dy doza

Prej sot me 3 janar, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit për vaksinim të plotë (me dy doza) kundër COVID-19.

Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës më 1 dhjetor, kur edhe ishin miratuar masat anti-COVID-19. Në vendim po ashtu thuhet se shtetasve të Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë certifikatën e plotë të vaksinimit dhe testin PCR dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Cani Travel

Nga masat anti-Covid përjashtohen:

1.Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do të largohet nga Kosova brenda tre orësh.

2.Personat, të cilët punojnë si shoferë me kusht që të respektojnë protokollin.

3,Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit.

4.Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë orësh.

5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë.

6.Personat nën moshën dymbëdhjetë vjeç.

7.Personat me dëshmi mjekësore që kanë komplikacione të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.

Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës. Lokalet lejohen të punojnë deri në orën 23:00, kurse muzika duhet të ndalet në orën 21:30.