Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë Hafiz Garën dhe Irfan Lipovicën. Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin që janë përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Policia ka arrestuar sot edhe Ridvan Muharremin, afaristin dhe pronarin e lokalit “Buke e zemër” në Prishtinë. Edhe ai është arrestuar për shkak të aferës së rezervave shtetërore. Muharremi ka dalë nën pranga nga restoranti i tij, në të cilin, siç mësohet, mysafirë i shpeshtë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Policia e Kosovës ka filluar sot herët në mëngjes bastisje te Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe te pronat, banesa dhe një lokal, i afaristit Ridvan Muharremit. Hetuesit kanë marrë edhe disa dosje me vete, të cilat i kanë gjetur në këtë ministri.