Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti dje në takim duon artistike nga Kroacia “Dina e Mel”, të përbërë nga Dina Busiq dhe Melita Ivkoviq. Ato qëndruan për herë të parë në Kosovë, ku interpretuan këngë të vjetra të arbëreshëve të Zarës (Kroaci).
Dina Busic (mbesë arbëreshe) foli për iniciativat e ndërmarra dhe projektin e nisur për promovimin e kulturës, gjuhës dhe artit të arbëreshëve të Kroacisë, thuhet në njoftimin e qeverisë nga ky takim.
Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi punën e artisteve nga Kroacia në sjelljen e thesarit muzikor të arbëreshëve dhe u uroi suksese për angazhimin dhe përkushtimin në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe artit të arbëreshëve në Kroaci, duke ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij për iniciativa të ngjashme.
Gjatë qëndrimi në Kosovë, duoja artistike “Dina e Mel”, ka pasur koncerte në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, si dhe në festivalin Etno Fest në Kukaj.