Qeveria e Kosovës tha, se është e shqetësuar dhe e kundërshton një propozim të fundit të Komisionit Evropian, sipas të cilit vizat nga 1 janari i vitit 2024 duhet të hiqen edhe për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë të lëshuara nga një Drejtori Koordinuese e Serbisë që funksionon në Kosovë. Për qeverinë e Kosovës, kjo drejtori Koordinuese është strukturë ilegale e Serbisë në Kosovë dhe si e tillë duhet të cilësohet e jashtëligjshme edhe nga Komisioni Evropian. Qeveria e Kosovës thotë se qytetarët serbë të Kosovës duhet të pajisen me pasaporta të Kosovës që të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë tha se „propozimi i fundit i KE-së për pasaportat që lëshohen „nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese serbe” nuk është diskutuar fare me Qeverinë e Kosovës”. „Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Qeveria e Kosovës e fton BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”, shkroi Bislimi në një reagim.
(DW)