Dy gjetje serioze i ka identifikuar Raporti i Progresit i KE sa i përket shëndetësisë në Kosovë. Sipas raportit, për 33 për qind të vdekjeve, shkaku nuk përcaktohet saktë e numri i vdekjeve të fëmijëve deri në 5 vjeç është 16 në 1000, që është trefish më shumë sesa në vendet e Evropës
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka identifikuar defekte të mëdha në sistemin publik shëndetësor në Kosovë.
Këtë herë, raporti ka përfshirë aspekte që nuk ishin trajtuar viteve të kaluara.
Një nga gjetjet më serioze është vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç, që sipas raportit në Kosovë është trefish me i lartë sesa në Evropë.
“Vdekshmëria te fëmijët mbetet një çështje serioze, 16 nga 1 mijë foshnja që lindin të gjalla, vdesin përpara se të mbushin pesë vjeç, shkallë kjo që është trefish më e lartë sesa mesatarja në BE”, thuhet në Raportin e Progresit.
Ky raport ka identifikuar se për 1 në 3 persona që vdesin në Kosovë, ose nuk dihen shkaqet ose ato përcaktohen gabimisht.
“Jetëgjatësia në Kosovë mbetet më e ulëta në regjion: sëmundjet jongjitëse janë shkaktar kryesor i vdekjeve, sidomos sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Rreth 33 për qind të shkaktarëve të vdekjes janë raportuar në mënyrë të gabuar ose nuk janë diagnostikuar fare”, thuhet në raport.
(KOHA DITORE)