Zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë reaguan ashpër ndaj deklaratës së fundit të ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili kërcënoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me vendimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
„Keni bërë një gabim do t’ju godasë në kokë, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, tha ministri serb Vuçeviq për TV Pink.
Ministri serb ashpërsoi edhe më tej gjuhën duke i kërcënuar dy vendet e Ballkanit se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë se ato janë të mbrojtura. Au pretendoi se ekziston mbështetja ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
A po i bie ministri serb i Mbrojtjes ‚daulleve të luftës dhe po e destabilizon rajonin me këto kërcënime’, siç tha deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve nga Mali i Zi, Andrija Nikoliq. Sidoqoftë, deklarata e Millosh Vuçeviq shkaktoi reagime të ashpra në rajon.
Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq e konsideron “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës) për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë të Veriut, Bujar Osmani i ka cilësuar si të papërshtatshme kërcënimet nga Serbia. Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut është për paqe dhe se shtetit të tij i intereson stabiliteti i gjithë rajonit.
”Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shkroi Osmani.
Reagoi edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se kërcënimet ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Në reagimin e tij, Rama kujton se Shqipëria, RMV dhe Mali i Zi janë aleate të NATO-s dhe të përkushtuara plotësisht ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.
„Nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, ka shkruar Rama në platformën X.