Të dielën në orët e pasdites në jug të Parisit mijëra vetë demonstruan në rrugët në afërsi të stacionit të metrosë Montparnasse. Në duar ata mbanin pankarta me mbishkrimin „Kundër të ligjit të Darmanin“ (ministri i Brendshëm francez, shën.red.) dhe „Migracioni nuk është problemi, racizmi është problemi“. Malier Ahmada Siby është mes tyre. 33 vjeçari ka ardhur para pesë vjetësh në Francë. Që atëherë ai punon si pastrues, në hotele dhe si pjatalarës. Për këto punë ai përdor lejen e punës të personave të tjerë. „Kështu punon shumica prej nesh. Që do të thotë, se paguajmë kontribute sociale dhe tatime, pa marrë në anën tjetër asnjë shërbim të rregullt shtetëror si sigurimi shëndetësor“, thotë ai për DW.
„Qeveria e presidentit, Emmanuel Macron na trajton sikur nuk kemi asnjë vlerë, po ne bëjmë të gjitha punat e ulta, në kantiere ndërtimi, edhe për Lojërat Olimpike vitin e ardhshëm, në restorante dhe si punëtorë në pastrim.“ Siby dhe migrantë të tjerë janë bashkuar për të protestuar kundër reformimit të ligjit.
Ligji mund të kthehet në sprovë
Të hënën (11.12.2023) ligji i kontestuar diskutohet në Asamblenë Kombëtare në Paris. Ky nuk është versioni përfundimtar i ligjit, por disa pika janë të njohura: Kështu me ligjin e ri procedurat e azilit do të përshpejtohen dhe afatet për apelim do të shkurtohen. Po ashtu do të vështirësohet bashkimi familjar dhe kushtet për vizë mjekësore. Në të ardhmen do mund të dëbohen edhe minorenët që në momentin e ardhjes në Francë ishin në moshë 13 vjeçare apo prindërit e huaj, fëmijët e të cilëve kanë pasaportë franceze. Punonjësit në sektorë me mungesë të fuqisë punëtore do duhej të merrnin automatikisht një leje pune 1-vjeçare, por tani iu është lënë kompetenca autoriteteve lokale, që mund të vendosin kush e merr një leje pune dhe kush jo.
Të dëbohen ata që kanë kryer krime
Deputeti i „Renaissance“, Alexis Izard në Departamentin Essonne në jug të Parisit mendon ndryshe. „Ne duhet të jemi në gjendje të dëbojmë nga Franca rreth 4000 migrantë ilegalë që kanë kryer krime, dhe kjo do të jetë e mundur në të ardhmen. Procedurat e dëbimit nuk do të zgjasin më dy vjet si më parë, por një vit.“ Në të njëjtën kohë, thotë Izard për ata që duan të punojnë do të bëhet më lehtë të vijnë në Francë.
(DW)