Partitë politike të Kosovës e kanë „rizbuluar“ mërgatën dhe shumë shpesh po vizitojnë së fundit vende të ndryshme në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera. Këto ditë në Berlin ishte ministrja e Drejtësisë dhe një prej figurave më të njohura të Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, në Hamburg ishte lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ndërsa në afërsi të Bilefeldit dhe në Sankt Augustin ishte kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, njofton Diaspora Today. Të gjithë ata folën për rolin e tyre në shtetin e Kosovës, për detyrat dhe gjërat që klanë bërë dhe duhet të bëjnë.
Lumir Abdixhiku pati takime me disa deputetë të Bundestagut gjerman nga rajoni i Hamburgut dhe përfaqësues të Hamburgut. Ai ka takuar deputetët e Bundestagut Christoph Ploß, deputeten Franziska Hoppermann dhe deputetin Christoph de Vries. Ndërsa me raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon ka mbajtur një takim edhe me profesionistë dhe bashkëatdhetarë, në bisedën e organizuar nga Oda e.V. Minsitrja Haxhiu ndër tjerash ka takuar bashkëatdhetarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme në ambasadën e Kosovës në Berlin. Ndërsa lideri i AAK Haradinaj në takimin me bashkëatdhetarët në Sankt Augustin theksoi se ai dhe opozita tani janë të interesuar të mbështesin proceset që çojnë përpara Kosovën. Haradinaj tha se në të kaluarën ka punuar nga posti i kryeministrit për krijimin e ushtrisë, për miratimin e ligjit për Trepçën dhe për projekte të tjera. Ndërsa tani ndër detyrat më të rëndësishme është arritja e marrëveshjes përfunditmare për njohjen e Kosovës nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në OKB, në NATO dhe në BE, njofton Diaspora Today.
„Tani nuk është koha të rrëzojmë qeverinë, por ne do të mbështesim proceset më të rëndësishme. Marrëveshja duhet të arrihet nga qeveria Kurti, e cila e ka mbështetjen në këtë proces. Sa i përket dokumentit gjermano-francez, ai është përpiluar me ndihmën e amerikanëve dhe si i tillë paraqet bazë të mirë për marrëveshje“, theksoi Haradinaj duke nënvizuar se „për çështjet madhore nuk duhet të ketë ndarje“.
„Asociacioni është diçka që duhet të arrihet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa një gjë e tillë mund të jetë vetëm pjesë e një marrëveshje të madhe për njohjen e Kosovës, nënvizoi Haradinaj. Por ish-kryeministri, i cili ishte i shoqëruar edhe nga deputetët të AAK në Kuvend, Time Kadriaj dhe Bekë Berisha, si dhe përfaqësuesit e kësaj partie në Gjermani, Ukë Blakaj dhe Shkelzen Fetahaj, theksoi se qëllimi i tij në të ardhmen është rikthimi në pushtet dhe atë si i pari i qeverisë. Në këtë kontekst, Haradinaj nënvizoi rolin e mërgatës si të pazëvendësueshëm jo vetëm për ekonominë e familjeve të tyre dhe të Kosovës, por edhe për zhvillimet politike.