Në Tiranë kanë mbërritur liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, drejtuesit e BE dhe krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sami i Bashkimit Evropian mbahet për herë të parë në një vend të rajonit të Ballkanin Perëndimor, që është një shenjë shumë pozitive për këtë rajon. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës Macron, shefja e Komisionit Evropian von der Leyen dhe të tjerët janë pritur nga kryeministri Edi Rama. Kancelari Scholz, për dallim prej presidentit Macron, nuk dha ndonjë deklaratë për media. Në Tiranë ka mbërritur edhe Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur para gazetarëve për procesin e antarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, deklaroi se procesi në vetëvete është i ndryshëm, varësisht nga puna që bëjnë vetë shtetet kandidate.
Ajo tha se ka shtete nga rajoni që këtë proces e kanë përfunduar brenda gjashtë vjetëve, ka të tjera që këtë e kanë bërë brenda dhjetë vjetëve, por ka të tjera që u ka marrë kohë më shumë se dhjetë vjet.
“Kjo varet nga puna që shtete kryejnë”, tha von der Leyen.
Macron kërkon solidaritet për krizën energjetike
Ndërkohë, ka mbërritur në Tiranë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili i është bashkuar Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Në një deklarim të shkurtër për media para fillimit të samitit, Macron theksoi se do të diskutohet në lidhje me krizën energjetike.
Ai tha se duhet të ketë më shumë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.
“Jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Samiti është në një moment mjaft të rëndësishëm për ne”, tha Macron.
“Kemi projekte konkrete për të diskutuar. Është e rëndësishme që të ketë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit të kësaj pjese në BE”.
Presidenti francez deklaroi se është e rëndësishme të punohet drejt solidaritetit.
“Do kemi mundësi të përgatisim konkluzionet për energjinë”, tha Macron.
Ndërkohë, në draft-deklaratën që pritet të miratohet në fund të samitit, do të theksohet mirëpritja e nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjes për heqjen e tarifave të romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa reduktohen tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga 1 tetori 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.
Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj situatës në sektorin e energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit.
Vuçiq zhurmë në Beograd, qetësohet në Tiranë
Pavarësisht zhurmës së bërë dy ditë më parë, e deklarimeve për mospjesmarrje në samit, në Tiranë u shfaq edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha para mediave se ndodhet në samit, sepse siç u shpreh “nëse nuk jeni në tryezë, atëherë jeni në meny”.
“Dhe pastaj të gjithë mezi presin”, tha Vuçiq.
Sipas tij, kjo është një mundësi më e mirë për të mbrojtur interesat e Serbisë.
“Ka pasur edhe disa reagime zyrtare për çështjen e Kosovës dhe për çështjen e dialogut, e kjo ishte arsyeja kryesore. Por në fund pas konsultimeve që bëmë brenda shtetit, vendosëm të vinim sepse do themi çfarë mendojmë, se jemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe negociatave me BE-në”.
Vuçiq deklaroi se Serbia mbetët e vendosur në rrugën drejt BE-së.
Marrëveshje BE-BP në Tiranë, nga 1 tetori 2023, ulen tarifat roaming |Video
Është nënshkruar marrëveshja e parë në kuadër të Samitit të liderëve të shteteve të Bashkimit Evropian, vetë drejtuesve të BE-së dhe liderëve të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në samitin e nivelit më të lartë që mbahet në Tiranë, për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, marrëveshja ka të bëjë me uljen e tarifave në telekomunikimin roaming.
Kjo marrëveshje e nënshkruar nga drejtuesit e kompanive publike të telekomunikimit të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, në prani të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe drejtuesve të Bashkimit Evropian, do të hyjë në fuqi me 1 tetor 2023.