Filmi artistik me metrazh të gjatë “Die Chaos Sschwestern und Pinguin Paul” (Kaosi i motrave dhe pinguini Paul) me regji të Mike Marzuk, këto ditë është shfaqur si premierë në Munih, Hamburg dhe Koln.
E veçanta e këtij filmi është se ndër rolet kryesore është Rona Regjepi, nëntë vjeçe (me të dy prindërit nga Kosova), e cila në të tri premierat ishte në qendër të vëmendjes nga dashamirët e filmit dhe mediat.
Filmi e vendos ngjarjen në mes të Amerikës dhe Gjermanisë, ku një çift me profesion palaço cirkusi e kanë vjedhur (kidnapuar) një pinguin inteligjent nga një kopsht Zoologjik për ta përdorur për nevoja të veta.
Mirëpo rastësisht katër motrave u bie në dorë pinguini që u kishte ikur keqbërësve dhe ato luftojnë më të gjitha mundësitë për ta shpëtuar pinguinin dhe për ta kthye në shtëpinë e vet, në kopshtin zoologjik.
Ato disa herë e vejnë jetën në rrezik derisa në fund ia arrijnë ta shpëtojnë, kurse kidnapuesit bien në duart e policisë. Filmi është përplot skena dramatike por edhe komike…
Kjo është, pak a shumë, ngjarja e këtij filmi zhanër; komedi familjare.
Pas premierës, gjatë prezantimit të aktorëve regjisori Marzuk nuk e lë pa përmend se “aktorja jonë e re Rona është shqiptare nga Kosova”. Pastaj edhe producenti dhe aktorët e rritur dhe më përvojë të gjatë filmi, e lavdëruan shumë rolin e Ronës. Ata mes tjerash thanë se, talenti i saj, disiplina dhe interpretimi, i ka bërë të përulen para saj.
Pas tri premierave, filmi nga data 25 janar 2024 do të shfaqet në të gjitha kinematë e Gjermanisë.
Pos këtij filmi Rona ka luajtur edhe dy filma tjerë të metrazhit të gjatë dhe disa filma dokumentar.
(ObserverKult)