Rrahje brutale e tre shqiptarëve në Mal të Zi

Tre të rinj shqiptarë që ishin nisur drejt Gjermanisë, janë rrahur më 6 janar në mënyrë brutale në Mal të Zi.

Sapo kanë zbritur nga trageti, shqiptarët raportohet se janë rrahur nga tetë persona civilë të veshur me veshje ushtarake.

Cani Travel

Policia e Shqipërisë bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit Herceg Novi.

“Tre shtetasit shqiptarë kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej gjashtë ose shtatë personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit”, tha policia në Shqipëri.

Në njoftimin për mediat u theksu se tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në policinë lokale, në Herceg Novi, ku janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, në një reagim për mediat, tha se ka komunikuar me homologun e tij, Danillo Saranoviq, të cilit i ka kërkuar informacion për ngjarjen. Balla tha se tre shtetasit shqiptarë janë sulmuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake.

Ai falënderoi kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehu keqardhjen për ngjarjen dhe bëri të ditur se një prej autorëve është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë tha se Ambasada shqiptare në Mal të Zi është duke ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet rreth kësaj ngjarjeje, ndërsa tre shtetasit shqiptarë janë marrë në mbrojtje dhe u është ofruar çdo shërbim i nevojshëm, përfshirë dhe ai ligjor.