Rritet papunësia në Gjermani

Numri i të papunëve në Gjermani u rrit në gusht në mbi 2.5 milionë, tha sot (31.08.22) Andrea Nahles, shefja e Agjencisë Federale të Punësimit. Megjithatë, ajo shprehu mendimin se „pavarësisht nga gjendja e pasigurt ekonomike dhe politike, tregu i punës është i fuqishëm.“ Shkaku i rritjes së numrit të të papunëve ka të bëjë, kryesisht, me regjistrimin e refugjatëve ukrainas në qendrat e punës. Sipas Agjencisë së Punës, numri i të papunëve u rrit për 77.000 persona nga korriku në gusht, kështu që shkalla e papunësisë u rrit në 5.6 për qind. Kjo është e zakonshme për muajin gusht, kurse në vjeshtë fillon përsëri të përmirësohet situata në tregun e punës.