Scholz kërkon nga Serbia të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka kërkuar Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Në njoftimin e Berlinit zyrtar thuhet se gjatë një telefonate të zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Scholzi ka theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Cani Travel

“Gjermania ka riafirmuar mbështetjen e tij për këtë proces. Scholz ka qartësuar obligimet e Serbisë për zbatimin Marrëveshjes së Ohrit”, u tha në njoftim.

Këtë marrëveshje, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia e kanë arritur vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por ndërmjetësi ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët.

Vendet evropiane vlerësuan se palët nuk kanë nisur zbatimin e saj.