Pas falimentimit të bankës amerikane Silicon Valley dhe krizës në tregjet financiare, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nuk ekziston rreziku nga një krize e re financiare në Evropë, siç ishte ajo nga viti 2008. „Nuk e shoh rrezikun. Sistemi financiar nuk është më aq i brishtë si para krizës financiare“, deklaroi Scholz për „Handelsblatt“. Ai nuk pret që këto turbulenca të kenë pasoja për kursimet e gjermanëve. „Ne jetojmë tërësisht në një kohë tjetër“, tha kancelari Scholz, duke e krahasuar gjendjen e sotme me atë nga viti 2008.