Në Serbi po vazhdojnë protestat e qytetarëve kundër parregullsive në zgjedhjet e mbajtuar më 17 dhjetor.
Tubime të opozitës dhe qytetarëve të pakënaqur po mbahen që gati dy javë në Beograd, e sot u mbajt protesta e madhe në organizimin e iniciativës civile joformale, ProGlas, e cila u themelua nga figura të njohura publike. Sipas organizatorëve, në tubimin e sotëm kishte më shumë se 10.000 njerëz, dhe çdo gjë kaloi pa incidente.
Si dhe në protestat e deritashme, edhe sot qytetarët dhe opozitarët në Beograd kërkuan anulimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Organizatorët thanë se kërkesa e ProGlasit është që brenda gjashtë muajve të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, “pas procesit të ndryshimit rrënjësor të kushteve zgjedhore”. Ata thonë se është “tradhtuar” vullneti elektoral i qytetarëve.
Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila shpalli fitoren në të gjitha nivelet.
Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se në zgjedhje u shënuan parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Një pjesë e eurodeputetëve kërkuan gjithashtu një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.