Në Gjermani, si dhe në mbarë botën, sot shënonet dita e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Më 27 janar 1945 janë çliruar të burgosurit e mbijetuar nga kampi më i madh nazist i përqendrimit, Aushvic.
Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në 1945 humbën jetën më shumë se gjashtë milionë hebrej, qindra mijëra sinti dhe romë, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë, njerëz që u përndoqën si homoseksualë, kriminelë apo “asocialë”, punëtorë me detyrim, të burgosur lufte, dhe të panumërt të tjerë.
Në Izrael dita kryesore përkujtimore nuk është 27 janari por Yom HaShoa, që bie zakonisht në prill. Për dy minuta në të gjithë vendin bien sirenat, autobusët, makinat, gjithçka ndalon. Njerëzit heshtin, kujtojnë viktimat.
“Holokausti, në të cilin u vranë një e treta e popullit hebre dhe anëtarë të panumërt të pakicave të tjera, do t`u shërbejë gjithmonë të gjithë njerëzve si paralajmërim nga rreziku i urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit”, thuhet në Deklaratën e Përgjithshme të OKB-së.
Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit sot, kancelari gjerman, Olaf Scholz kujtoi të gjithë të persekutuarit gjatë nacionalsocializmit.
Nuk duhet të ketë „kurrë më përjashtim dhe heqje të së drejtës, kurrë më ideologji racore dhe dehumanizim, kurrë më diktaturë“, deklaroi Scholz në rubrikën e tij të përjavshme „Kanzler Kompakt“.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz shprehu edhe shqetësim për rritjen e ekstremizmit të djathtë në vendin e tij, 79 vjet pas çlirimit të kampit famëkeq të Aushvicit.