Shqipëria ka marrë sot kryesimin e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është hera e dytë që Shqipëria është në krye të KS që nga periudha kur ajo u bë pjesë e këtij forumi, në janar të vitit të shkuar, si anëtare jo e përhershme.
Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka tha se dy aktivitete madhore do të shënojnë presidencën shqiptare në KS gjatë muajit shtator.
“Ne do të organizojmë një debat të hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”, ka deklaruar Xhaçka.