Shqiptarja Aferdita Suka kandidon në zgjedhjet e Berlinit

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve të shtatorit 2021, qytetarët e Berlinit do të votojnë përsëri më 12.02.2023. Gjykata vlerësoi se në zgjedhjet e vitit të kaluar kishte shumë „parregullsi të rënda dhe sistematike”, kështu që është e nevojshme që votimet të përsëriten. Pra, tani do të mbahen përsëri zgjedhjet për Senatin e Berlinit (Abgeordnetenhaus) dhe parlamentet e komunave.

Edhe në zgjedhjet e përsëritura do të kandidojë shqiptarja Aferdita Suka nga Partia e Gjelbër. Në votimet e mbajtura në vitin 2021, ajo ka fituar mandatin e drejtpërdrejtë për Senatin e Berlinit, që ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Aferdita Suka ka lindur në vitin 1980 në Kosovë, por si fëmijë ka ardhur në Gjermani. Ajo ka mbaruar studimet për shkenca sociale.

Cani Travel

Në zgjedhjet e 26 shtatorit 2021, Aferdita ka kandiduar në listën e ekologjistëve në Tempelhof- Schöneberg, ku fitoi vota të mjaftueshme për t’u futur në Senatin e Berlinit. Nga viti 2011 deri në vitin 2021, ajo ishte anëtare e Asamblesë së Parlamentit të zonës së Berlinit Tempelhof-Schöneberg dhe zëdhënëse për çështjet sociale-politike të Fraksionit Bündnis 90/ Die Grünen. Nga viti 2016 deri në vitin 2021 ishte kryetare e Komisionit për shëndetësi. Afërdita ka marrë edhe disa çmime të rëndësishmë për angazhimin e saj në politikë komunale dhe për çështje sociale.