Vitin e kaluar, në Gjermani jetonin 20.2 milionë njerëz me sfond migrimi, pra ata të cilët emigruan vetë në Gjermani ose të dy prindërit e tyre emigruan. Sipas të dhënave të Entit Federal të Statistikave, kjo është 6.5 për qind më shumë se në vitin 2021. Si rezultat i migrimeve të tilla, përqindja e emigrantëve të gjeneratës së parë dhe të dytë në popullsinë totale të Gjermanisë u rrit nga 23 për qind në vitin 2021 në 24.3 për qind vitin e kaluar. Sipas Entit Federal të Statistikave Gjermane, shumica e tyre janë refugjatë nga Ukraina, Siria dhe Afganistani.
Përqindja e emigrantëve të drejtpërdrejtë në popullatë u rrit 7.3 për qind, më shpejt se numri i pasardhësve të drejtpërdrejtë të prindërve emigrantë të lindur në Gjermani, që tani është katër për qind.
Baza e të dhënave për këto statistika është i ashtuquajturi mikro-regjistrim. Ky është një hulumtim që, ndryshe nga një regjistrim i madh, kryhet në intervale më të shkurtra kohore dhe në një përqindje më të vogël të popullsisë. Shifrat e fundit tregojnë se rreth tre të katërtat e 20.2 milionë emigrantëve kanë ardhur personalisht në Gjermani që nga viti 1950, kurse 4.9 milionë janë pasardhës të drejtpërdrejtë të emigrantëve të tillë.
Arsyeja kryesore e imigrimit që nga viti 2013 ishte ikja nga lufta, sigurimi i azilit dhe mbrojtja ndërkombëtare – 27.9 për qind. Më pas vjen imigrimi për qëllime punësimi (24.2%) dhe bashkimi familjar (23.9%). Pak më shumë se tetë për qind e atyre që emigruan që nga viti 2013 erdhën në Gjermani kryesisht për studime ose trajnime dhe arsimim të mëtejshëm.