Autoritetet italiane nuk i dhanë shqiptares bashkëpunuese mbrojtjen e premtuar.
Mediat italiane njoftojnë se shqiptarja 46-vjeçare, e cila bashkëpunoi me autoritetet italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion, ka vrarë veten. Ajo ka vrarë veten duke u hedhur nga një urë.
Mediat njoftojnë se falër bashkëpunimit të Adelina Sejdinit, e lindur në Durrës të Shqipërisë, me policinë, pas grilave kanë përfunduar 40 personave dhe 80 të tjerë u kallëzuan penalisht. Të gjithë të arrestuarit ishin pjesë e mafies shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në gjithë Italinë.
Sipas këtyre burimeve, ajo kishte frikë të kthehej në Shqipëri ngase mund ta vrisnin ata të cilët i kishte çuar pas hekurave.
“Nëse kthehem në Shqipëri, jam grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që janë arrestuar atëherë”, kishte thënë ajo.
Për vite me radhë ajo kishte kërkuar statusin e refugjatit në Itali, por që gjithmonë i është refuzuar. Shteti italian i premtoi mbrojtje në mënyrë që ajo të denonconte tutorët e saj, por pavarësisht kësaj, një mbrojte të tillë ajo nuk e mori kurrë.
Sejdini jetonte në Pavia dhe ishte e sëmurë me kancer, shpesh ajo shtrohej në spital në San Matteo.
Pasi u arratis nga shfrytëzuesit e saj, ajo denoncoi organizatën dhe në vitet në vijim punoi gjithashtu përkrah City Angels për të ndihmuar prostitutat e reja, viktima të shantazhit, për t’u çliruar nga ajo skllavëri.
Në Itali shkoi në moshën 22-vjeçare më 1996, dhe që prej asaj kohe nuk ka marrë dot shtetësinë italiane.
Më 28 tetor ajo i vuri flakën vetes para Ministrisë së Brendshme, por shqiptarja u shpëtua dhe më pas u transportua në spitalin Santo Spirito, me djegie të rënda. Pas kësaj ajo tentoi të fliste me presidentin italian, Sergio Mattarella, ose të paktën me disa nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, por që nuk ia arriti që të takonte asnjërin prej tyre.