Grupit për Çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken që të angazhohen për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dyfishojnë vëmendjen e SHBA-së për zgjidhjen e tensioneve mes dy vendeve.
“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e SHBA-së për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.
Tensionet në veriun e Kosovës u përshkallëzuan pasi Kosova vendosi masën e reciprocitetit për çështjen e targave të automjeteve. Çështja e stabilizua me një marrëveshje në Bruksel, por dëshmoi se sa e brishtë është situata e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.
Grupi për çështjet shqiptare paralajmëron se: “Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si një komb të pavarur. Kjo reflektohet në një marrëveshje, në të cilën Serbia lejoi vetëm automjetet që shfaqnin targa me “KS” (Kosovë) dhe refuzoi hyrjen në automjetet që tregonin targa me “RKS” (Republika e Kosovës)”.
Gjithashtu paralajmërohet se në zonën kufitare janë parë avionë e helikopterrë serbë, ndërsa atje ka qenë edhe ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq dhe shefin e shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsiloviq. Në këtë letër inkurajohet administrate amerikane që të bashkohet me partnerët në BE dhe NATO, për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare.
Kërkesën e kanë nënshkruar bashkëkryetarët e Grupit, Kongresistët Ritchie Torres dhe Jim Hines, si dhe anëtarët e Grupit: Elissa Slotkin, Joe Courtney, Mondair Jones, Carolyn B. Maloney dhe James P. McGovern.