Profesori norvegjez, Kenneth Andresen, koleksionues i fotografive të vjetra në Kosovë, sot ka shpërndarë gjashtë ballinat e gazetave të Kosovës më 18 shkurt të 2008-ës, një ditë pas shpalljes së pavarësisë.
“Kosova Republikë”, “Shteti u bë”, “Shteti pret njohjet” – ishin disa prej titujve që lajmëronin shpalljen e shtetit.
Më 18 shkurt, Gazeta Express kishte në ballinën e saj “KOSOVA REPUBLIKE”. Tanimë kjo parullë mund të bërtitej lirshëm, tanimë ajo ishte jetësuar.
Dhe në atë numër të Gazetës Express shkruhej: “Kjo nuk është vetëm një parullë e shkruar fshehurazi nëpër mure dhe askush më kurrë nuk do të dënohet 60 ditë burg për të. Tash, Kosova është Republikë përnjëmend. Sot, fillon njohja”.
Gazeta Express kishte edhe dy ballina ikonike edhe në dy ditët pararendëse.
Numri i datës 16 shkurt, i dedikohej ditës që do të vinte. Ballina e atij numri ishte krejt kuqezi. Mbi flamurin kombëtar ishte shtypur agjenda e ditës kur do të deklarohej pavarësia e Kosovës.
“Fuck YU” – në ballinën e ditës kryesore, e diel, 17 shkurt, numri i Gazetës Express kishte një të sharë. I drejtohej Jugosllavisë dhe tre udhëheqësve në periudha të ndryshme të saj, keqbërësve te mëdhenj ndaj shqiptarëve të Kosovës, Nikolla Pashiqit, Josip Broz Titos dhe Sllobodan Millosheviqit. Kosova më nuk ishte nën zgjedhën e tyre dhe të pasardhësve të tyre.
(Gazeta Express)