Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në shtetet evropiane që i takojnë zonës së Shëngenit, por, ekzistojnë disa rregulla që duhet të dihen për lëvizje në këtë zonë.
Qeveria e Kosovës (Integrimi Evropian i Kosovës) ka dhënë një sqarim për këtë çeshtje.
Si funksionon rregulli i 3 muajve afat në pasaportë për të hyrë në zonën Shengen?
„Për të hyrë në zonën Shengen, është e rëndësishme të keni një pasaportë me afat të mjaftueshëm. Pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen. Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit“, thuhet në sqarimin e Qeverisë së Kosovës.