Sigurimet në Gjermani

Cilat sigurime janë të detyrueshme në Gjermani, cilat janë të rëndësishme dhe të mira për t’u pasur dhe cilat nuk janë të nevojshme? Ne do të përgjigjemi në të gjitha këto pyetje në këtë artikull. Do të fillojmë me sigurimet e detyrueshme.

Sigurimet e detyrueshme

Në Gjermani ekzistojnë vetëm dy sigurime të detyrueshme. Këto janë sigurimi shëndetësor dhe sigurimi i automjeteve.

Cani Travel

Sigurimi shëndetësor

Kur bëhet fjalë për sigurimet shëndetësore, ka dallime midis sigurimeve shëndetësore ligjore dhe atyre private. Shumica e njerëzve kanë sigurim shëndetësor ligjor. Sigurimin shëndetësor ligjor e paguajnë punonjësit që kanë të ardhura mbi 450 € në muaj. Si bazë merret totali i të ardhurave bruto, dhe nga kjo shumë përcaktohet një normë uniforme e kontributit prej 14.6 për qind. Kjo ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet të siguruarit dhe punëdhënësit, pra secili paguan 7.3 për qind. Përveç kësaj, ekziston edhe mundësia për të marrë sigurime private. Kjo rekomandohet zakonisht vetëm për punonjës të paguar mirë, punonjës në shërbime publike (Beamte), sipërmarrës privatë, të cilët i kushtojnë shumë rëndësi kujdesit të mirë në rast sëmundjeje.

Sigurimi i automjeteve

Sigurimi i automjeteve është i detyrueshëm për të gjithë ata që kanë një automjet. Ky sigurim ju mbron nëse e dëmtoni ose shkatërroni një makinë tjetër. Ky sigurim është shumë i rëndësishëm, sepse në një aksident mund të shkaktohen dëme që kushtojnë shumë shtrenjtë.

Sigurimet e plota dhe të pjesshme KASKO nuk janë të detyrueshme. Me sigurimin e plotë kasko, kompania e sigurimeve mbulon dëmet që i keni shkaktuar automjetit tuaj në një aksident për të cilin jeni Ju përgjegjës.
Sigurimi i pjesshëm kasko zbatohet vetëm nëse makina juaj është dëmtuar nga ndikime të jashtme (p.sh. zjarri, vjedhja, thyerja e xhamit …).

Rregulli i përgjithshëm është se makinat e reja dhe makinat që nuk janë më të vjetra se 5 vjet duhet të kenë gjithmonë një sigurim të plotë kasko. Për makinat që janë më të vjetra se 5 vjet, mund të kaloni mbase në një sigurim të pjesshëm kasko.

Sigurimet që nuk janë të detyrueshme, por janë të rëndësishme

Këto janë: sigurimi privat i përgjegjësisë (Haftpflichtversicherung), sigurimi në rast të paaftësisë profesionale (Berufsunfähigkeitsversicherung), sigurimi i pagës gjatë sëmundjes, sigurimi i jetës, sigurimi gjatë udhëtimit jashtë shtetit dhe sigurimi i shtëpive. 

Sigurimi i përgjegjësisë (Private Haftpflichversicherung)

Ky sigurim siguron një person në rastet e mëposhtme:

– Në rast të dëmtimit të pasurisë: nëse dëmtoni ose shkatërroni objekte që u përkasin palëve të treta

– Në rast të lëndimit personal: nëse veprimet tuaja rezultojnë me lëndime të personave të tjerë, dëmtim të shëndetit apo edhe vdekjen e njerëzve.

– Në rast të humbjeve financiare: nëse me veprimet tuaja u shkaktoni dëme financiare njerëzve të tjerë.

Sigurimi i përgjegjësisë është, pra, një formë shumë e rëndësishme e sigurimit dhe ai duhet të merret, pasi këtu mund të ndodhin dëmtime në një vlerë nga disa miliona euro.

Sigurimi në rast të paaftësisë profesionale

Sigurimi në rast të paaftësisë profesionale i mbron një person në rast se ai nuk është më në gjendje të punojnë dhe të ushtrojë profesionin e tij. Pra, ky sigurim ju mbron nëse nuk mund të bëni më punën tuaj mendërisht ose fizikisht. Në këtë mënyrë, ju i siguroni të ardhurat që ju takojnë. Në rast të aftësisë së kufizuar në punë, ju do të merrni një shumë mujore të caktuar paraprakisht për të kompensuar rrogën tuaj. Ky sigurim përdoret kur punonjësi mund të kryejë vetëm 50% të aktiviteteve të tij.

Sigurimi i ndihmës financiare në rast të sëmundjes (Krankentagegeldversicherung)

Ky sigurim është i dobishëm nëse jeni të sëmurë për një kohë të gjatë. Kjo është veçanërisht e dobishme për njerëzit që kanë biznes privat dhe janë të siguruar privatisht, pasi këto grupe nuk marrin pagë të rregullt kur janë të sëmurë. Ky sigurim mund të jetë i dobishëm edhe për personat me pagë të lartë që kanë sigurimin shëndetësor ligjor nëse pagesa e rregullt gjatë sëmundjes nuk është e mjaftueshme për ta.

Sigurimi i jetës (Risikolebensversicherung)

Me këtë sigurim ju mund të siguroni financiarisht familjen tuaj në rast vdekjeje. Kjo është e dobishme nëse keni kredi që ende nuk janë paguar. Ky sigurim është veçanërisht i rëndësishëm për familjet dhe çiftet që jetojnë kryesisht me të ardhurat e një anëtari të familjes.

Sigurimi shëndetësor ndërkombëtar (Auslandsreisekrankversicherungen)

Kur udhëtoni brenda BE-së, zakonisht vlen sigurimi shëndetësor ligjor ose privat dhe ai ju siguron në rast sëmundjeje. Mirëpo, nëse udhëtoni në vende jashtë BE-së, do të ishte mirë të merrni edhe sigurimin shëndetësor ndërkombëtar. Me këtë sigurim, ju mund të shkoni te mjeku në vendin ku gjendeni dhe të ekzaminoheni pa ndonjë pagesë shtesë.

Sigurimi i ndërtesave të banimit

Sigurimi i fundit që është i rëndësishëm është sigurimi i ndërtesave të banimit. Kjo është e rëndësishme vetëm për njerëzit që kanë pasuri të patundshme, pasi që ato janë zakonisht objektet më të shtrenjtë që i kanë njerëzit. Sigurimi i ndërtesave të banimit siguron pronën tuaj p.sh. në rast dëmtimi për shkak të zjarrit, stuhisë, breshërit ose një shpërthimi të tubit të ujit.

Këto sigurime janë disa nga sigurimet më të rëndësishme në Gjermani dhe në varësi të situatës tuaj jëtësore mund të mendoni që të merrni disa prej këtyre sigurimeve.