Kryeministri i Kosovës Albin Kurti takohet sot (02.05.2023) me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Para këtij takimi Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Siç u paralajmerua, takimi i Brukselit do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin e BE-së thuhet se pritet që „palët të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike“, theksohet në njoftimin e BE-së.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, vlerësoi se takimi i sotëm në Bruksel do të jetë veçanërisht i rëndësishëm. Në fund të takimit, përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell do të bëjë një deklaratë për media.