Në kuadër të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe që u mbajt në Tiranë, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka prezantuar Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe. Kjo është vepër e një pune 4-vjeçare, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me tërë institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
“Nevoja për një fjalor të madh të shqipes kishte lindur me kohë. Shqipja ishte ndër gjuhët e pakta që i mungonte një fjalor i tillë”- tha Gjinushi.
Në kuadër të reformimit të saj, Akademia si nxitëse e koordinuese e kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e albanologjisë, zgjodhi të ideojë e drejtojë tri projekte madhore në këtë drejtim, përfshirë dhe hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, u shpreh Gjinushi.