Shtetet e Bashkura të Amerikësë dhe Gjermania reaguan sot ndaj vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy grupeve të serbëve në veri të Kosovës si organizata terroriste. Fjala është për organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që veprojnë në veri të vendit.
Së pari reagoi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Pastaj, reagoi edhe Zyra për shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, duke theksuar gjithashtu se vendimi për shpalljen e këtyre dy grupeve si organizata terroriste është marrë pa koordinim me Gjermaninë.
“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë Ambasada e Gjermanisë për Klankosova.tv.
Qeveria e Kosovës i shpalli dje këto dy grupe serbe si organizata terrorise. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.