„TOKA jonë“ – kampi për të rinjtë nga diaspora

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me organizatën TOKA dhe disa organizata të tjera, ka nisur një iniciativë ambicioze që synon të inkurajojë të rinjtë në diasporë që të rilidhen me rrënjët e tyre. Fjala është për Kampin „TOKA jonë“ që do të mbahet nga data 4 deri më 9 gusht 2023 në kampusin Loyola, në Prizren. Ky projekt është i hapur për të rinjtë nga mosha 14 deri në 16 vjeç, qofshin ata nga diaspora apo shqipfolës të Kosovës. Me rëndësi është të dihet edhe se kampi është plotësisht falas.  

Organizatorët premtojnë një javë me aventura emocionuese dhe zbulime pasuruese. Në ftesën për pjesëmarrje në këtë iniciativë thuhet se: „Kampi TOKA Jonë është kamp 6 ditor i cili bashkon 40 të rinj nga diaspora dhe Kosova, për të përqafuar kulturën, dhe për të kaluar një aventurë të paharruar në Kosovën e bukur!“

Cani Travel

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në festivalin e famshëm Dokufest të Prizrenit, të angazhohen në aktivitete interaktive me pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të thellohen në zemrën e kulturës kosovare përmes këngëve tradicionale, ushqimeve të shijshme dhe shumë surprizave të tjera.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë e kultivimit të lidhjeve ndërmjet diasporës dhe vendit të origjinës. Kjo është arsyeja pse ajo vendosi të mbështesë këtë iniciativë që synon të frymëzojë dhe motivojë të rinjtë nga diaspora për t’u përfshirë në mënyrë aktive në vendlindjen e tyre.