Vonesat në krijimin e institucioneve dëmtojnë Kosovën në aspektin socio-ekonomik

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, situata politike e krijuar mbi krizën potenciale për vonesat në themelimin e institucioneve në vend po shqetëson ekonomistët, të cilët paralajmërojnë për pasoja të rënda në ekonominë e vendit, raporton Ekonomia Online. 

Ata kanë kërkuar që qeveria e re të formohet sa më shpejt për të shmangur vakumin institucional dhe ndikimet negative që ai mund të ketë në ekonomi.

Cani Travel

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka cilësuar ngërçin politik si të planifikuar dhe ka kritikuar vonesat në numërimin e votave nga KQZ, duke e quajtur situatën një “absurd të kohës”. 

Ai ka theksuar se çdo vonesë e mëtejshme në krijimin e institucioneve dëmton Kosovën në aspektin ekonomik, politik dhe diplomatik. Gërxhaliu ka kërkuar nga politikanët që të veprojnë sa më shpejt dhe të mos lejojnë politizimin e mëtejshëm të situatës, duke propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse për të përballuar sfidat me të cilat po përballet vendi.

Ekonomisti Jakup Bellaqa ka paralajmëruar se pasiguria politike ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe krijon një ambient të papërshtatshëm për të bërë biznes. Ai ka theksuar se Kosova, si një ekonomi në zhvillim, nuk mund të përballojë më tej pasigurinë institucionale.

(Ekonomia Online)