Zoran Zaev pendohet – shtyn dorëheqjen…

Zoran Zaev ka shtyrë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe i kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Zaevi ka dhënë dorëheqje me 31 tetor për shkak të humbjes së partisë së tij në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

Cani Travel

Por Zaev nuk e ka dorëzuar ende dorëheqjen në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Me 9 nëntor, organet drejtuese të LSDM-së kanë vendosur që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.

“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosëm njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.

Por ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e Zaevit. Konstadinov tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë opozita ka krijuar një shumicë të saj dhe ka paralajmëruar mocionin e votëbesimit të qeverisë. Aktualisht nuk dihet nëse Zaevi dhe qeveria e tij do të mbijetonin politikisht këtë mocion.

Seanca e kuvendit është caktuar për të enjten, por jozyrtarisht bëhet e ditur se ajo mund të shtyhet për të shtunën për shkak të një nisme të re.

Partia opozitare VMRO-DPMNE më 8 nëntor njoftoi se ka siguruar nënshkrimet e 61 deputetëve për votimin e mosbesimit të qeverisë. Më pas deputeti Skënder Rexhepi nga partia Alternativa bëeri të ditur se ka tërhequr nënshkrimin me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj nisme ku bënë pjesë edhe “E Majta”, që akuzohet nga partitë shqiptare dhe LSDM-ja për qëndrimet anti-perëndimore dhe anti-shqiptare.

Aktualisht nuk dihet se si do të përfundojë ky proces, por dihet që për rrëzimin e qeverisë në Shkup nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.