Dy deputetë në Kuvendin e Spanjës kanë kërkuar sot që ky vend të njohë shtetin e Kosovës. Spanja është një prej pesë vendeve të BE që ende nul e njeh këtë shtet.
Deputeti Aitor Esteban thotë se Spanja dhe Kosova janë përballur tashmë edhe në ndeshje futbolli, në kualifikimet për Kampionat Botëror. “Sa i përket Kosovës, njiheni sepse veç ka pasur edhe ndeshje futbolli tashmë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq deputetja Mertxe Aizzpurua ka deklaruar se është koha që Spanja ta njohë sovranitetin e Kosovës.
“Është koha për ta njohur sovranitetin dhe legjitimitetin e Kosovës si shtet i plotë. Sepse është shtet i dalë nga dëshira e popullit. Nuk duhet t’ia kthejmë shpinën demokracisë apo vendimit të popullit, as për Ballkan, as në këtë shtet”, ka deklaruar Aizpurua.
Kosova dhe Spanja janë përballur më 8 shtator të këtij viti në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Kjo ishte ndeshja e dytë, pasi që Kosova dhe Spanja kanë zhvilluar një ndeshje edhe në Sevilla të Spanjës.