Nënshkruhen marrëveshjet në Berlin – ja përmbajtja e tyre…

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot tri marrëveshje që u dakorduan më parë në kuadër të Procesit të Berlinit. Nënshkrimi u bë pas mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ku nikoqir ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, e morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursul von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. 

Marrëveshjet e nënshkruara sot kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimin profesional. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se këto marrëveshje të rëndësishme do t’ia lehtësojnë jetën njerëzve në rajon. „Marrëveshjet do të ndihmojnë qytetarët tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Një student nga Sarajeva mund të përfundojë  studimet në Beograd apo një inxhinier në Tiranë duke përdorur gradën e tij mund të gjejë një punë në Shkup”, tha Scholz, duke shtuar se këto marrëveshje i sjellin vendet afër standardeve të BE-së.

Cani Travel

Nga Berlini kryeministri i Kosovës Albin Kurit dha edhe detajet konkrete të këtyre marrëveshjeve.

Përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin e njërës nga shtetet sipas legjislacionit në fuqi. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës më në fund do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime, duke sjellë Prishtinën dhe Sarajevën afër qytetarëve të dy shteteve tona.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda Rajonit.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.