„Evropa mund të kompletohet vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj“, deklaroi Kancelari gjerman Olaf Scholz, në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku tha se stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës varet edhe nga stabiliteti dhe prosperiteti i këtij rajoni.
Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është në interes të Evropës, tha ai, duke shtua se ”të gjithë ne duhet të rrisim angazhimin tonë për të përmbushur pritshmëritë e ngritura prej gati 20 vjet më parë në Selanik”.
Sholz u shpreh i bindur se Procesi i Berlinit do ta përshpejtojë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE: „Procesi i Berlinit jo vetëm që do të ndihmojë në çlirimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Marrëveshjet hap i guximshëm
Kancelari gjerman foli me fjalë të mira për marrëveshjet e aritura, që do të nënshkruhen në kuadër të samitit, duke i quajtur ato „tre hapa të mëdhenj” dhe „të guximshëm” që do t’ua bëjnë më të lehtë njerëzve në rajon. Kancelari falënderoi në mënyrë të veçantë punën e bërë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal për arritjen e marrëveshjeve, si edhe Komisionin Evropian për mbështetjen thelbësore të dhënë në këtë proces.
Ndikimi i luftës së Ukrainës dhe dialogu Kosovë-Serbi
Gjithashtu Scholz siguroi mbështetjen e Gjermanisë në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, por kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mënjanojnë konfliktet rajonale. „Lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës. Është koha e duhur për të kapërcyer konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë gjatë. Konflikte që ju ndajnë dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën tuaj drejt Evropës”, u tha kancelari gjerman gjashtë kryeministrave të pranishëm.
Në prag të samitit është thënë qartë se dialogu Kosovë-Serbi është një prej hapave më të rëndësishëm në rajon, që duhet të përmbyllet me sukses. Përveç marrëveshjeve që do të nënshkruhen, në samit pritet të bëhet progres në bashkëpunimin rajonal në fushën e energjisë, klimës dhe migracionit.
Procesi i Berlinit është iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, në vitin 2014. Përveç Gjermanisë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e të enjtes në Berlin marrin pjesë edhe përfaqësues nga vende të mëparshme mikpritëse të Procesit të Berlinit, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Polonia, Bullgaria, si edhe Greqia, Sllovenia, Kroacia. Veç të tjerash në samit marrin pjesë presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen si edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.